Të paktën katër persona humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën në Kiev, pasi Rusia ndërmori gjatë natës një sulm masiv me raketa dhe dronë në disa zona të Ukrainës, njoftuan autoritetet vendase.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko, bëri të ditur se mes viktimave ndodhet edhe një mjek, ndërsa katër punonjës shëndetësorë kanë mbetur të plagosur. Ai shtoi se sulmet goditën edhe infrastrukturën kritike, duke lënë disa zona të kryeqytetit pa energji elektrike dhe furnizim me ujë.
“Infrastruktura kritike u godit dhe disa zona të qytetit mbetën pa energji ose pa ujë,” deklaroi Kliçko.
Ndërkohë, në perëndim të vendit, Komanda Perëndimore e Forcave Ajrore të Ukrainës raportoi se një sulm rus ndaj qytetit të Lvivit u krye me një raketë balistike të paidentifikuar. Sipas ushtrisë ukrainase, raketa dyshohet se është lëshuar nga zona e testimit “Kapustin Jar” në Rusi, e njohur si pikë lëshimi për raketa balistike.
Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi, deklaroi se aktualisht nuk ka ende konfirmim nëse raketa e përdorur ishte e tipit “Oreshnik”.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet ukrainase vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe numrit të viktimave.
