Në hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se biznesmeni Theodhori Çami ka luajtur një rol kyç në organizimin e takimeve dhe negociatave që lidhen me interesat e çiftit Meta-Kryemadhi. Një ngjarje e rëndësishme është takimi që Çami ka organizuar me drejtorin e Vodafone Albania në shtëpinë e Monika Kryemadhit në ish-Bllok.
Gjatë këtij takimi, ka pasur kërkesa për të përdorur AKEP për të penguar aksionerët e kompanisë Plus, një konkurrente e Vodafone. Po ashtu, raportohet se Çami, në cilësinë e një ndërmjetësi, ka marrë pagesa për shërbimet e tij nga Adrian Shatku, i cili ka qenë gjithashtu pjesë e këtij procesi. Në dosjen e SPAK evidentohet se si u fut në lojë si “sekser” Thodhoriu për Kryemadhin dhe kushëririn e saj dhe pagesat që i bëri Adrian Shatku.
Dosja e SPAK
“Lidhur me njohjen e tij me Monika Kryemadhin, Theodhoriu deklaron se e ka njohur në vitin 2010, kur ajo erdhi si komshie në Lalëz, ngjitur me shtëpinë e tij. Monika ka hyrë për të banuar në shtëpinë e saj në vitin 2011. Njohjet me Monikën dhe Ilirin vazhduan në vijim si komshinj, ku pinin ndonjë kafe, loznin volejboll etj. Theodhoriu deklaron se në vitin 2014, por pa specifikuar muajin, Monika e takoi në plazh në Lalëz dhe i tha: “Të ndihmojmë pak Emën, se ka një kushëririn e vet me emrin Adrian Shatku, që ka një kompani shumë të madhe në fushën e interkoneksionit, dhe do që të marrë pjesë në këtë biznes.” Monika i kërkoi që ta ndihmonte të bënte një takim me drejtuesit e Vodafone. Sipas Theodhoriut, ai është përgjigjur se do ta shikonte si kërkesë dhe nëse Vodafone do të kishte interes për të shtuar edhe një operator tjetër në fushën e interkoneksionit, për atë nuk kishte asnjë problem.
Në këtë periudhë, interkoneksionin ndërkombëtar e bënte Info Telecom dhe kompani të tjera të vogla, dhe Theodhoriu me drejtuesit e Info Telecom-it deklaroi se kishte një njohje të shëndetshme. Sipas Theodhoriut, pronarët e Info Telecom, Anisa Skëndaj dhe Marin Gjonaj, ranë dakord të bashkëpunonin pasi ata do të përfitonin nga trafiku që do të siguronin një çmim më të lirë në blerjen e minutave, dhe Adriani do të përdorte infrastrukturën e Info Telecom-it, që ishte tashmë në këtë biznes. Pasi ka filluar puna, Adriani i ka bërë Theodhoriut 6-7 pagesa dhe më vonë i ndërpreu, duke i thënë se kaq shkonte vlerësimi ndaj tij për ndërmjetësimin që bëri. Gjithashtu, Adriani u shkëput edhe nga Info Telecom, pasi u lidh direkt me Vodafone, duke menduar se Info Telecom-i e pengonte në trafikun e minutave dhe arriti që ta nxirrte nga loja. Info Telecom vazhdoi trafikun e interkoneksionit, por në sasi të vogla.
Lidhur me ecurinë e interkoneksionit që bënte Unifi duke përdorur infrastrukturën e Info Telecom, Theodhoriu deklaroi se shtetasi Ilir Meta i kishte thënë se kishte dëgjuar nga Monika se Ema ishte e mërzitur, sepse Adriani po e sillnin vërdallë ata të Info Telecom. Theodhoriu deklaroi se i ishte përgjigjur Ilir Metës, që personalisht mendonte se kompania Unifi ishte një kompani e madhe vërtet, por Adriani ishte një mashtrues ordiner. Iliri e kishte thënë: – Jo, nuk guxon, ai është djalë korrekt. Theodhoriu deklaroi se personi, të cilit Adrian Shatku i drejtohet si “South African”, është CEO i Vodafone-it, Dietlof Mare”, thuhet në dosjen e SPAK.
Pazaret nga takimi në shtëpinë e Kryemadhit
Po ashtu në dosjen e SPAK jepen dhe detaje nga momenti kur Theodhori Çami shkon bashkë me drejtorin e Vodafone në banesën në ish-bllok të Kryemadhit. Në këtë takim, drejtori i Vodafone Dietlof Mare kërkon nga Kryemadhi që përmes Piro Xhixhos në AKEP të bllokohet kalimi i klientëve nga Vodafone dhe AMC në drejtim te kompanisë Plus. Këtë fakt e ka zbuluar vetë Thodhoriu në deklarimin e tij në SPAK. “Thodhoriu deklaron se në muajt Maj – Qershor 2014, ai së bashku me Dietlof Maren e kanë takuar Monika Kryemadhin në shtëpinë e saj në ish bllok. Në këtë shtëpi janë ngjitur me ashensor, dhe shtëpia ishte me shkallë të brendshme. Në katin poshtë ishte kuzhina dhe dhomat, ndërsa lart ishte sallon pritje.
