Një hetim i BBC-së ka zbuluar se dy vëllezër shqiptarë, Florjan dhe Roland Reka, kanë filmuar fshehurazi vajza dhe gra gjatë daljeve të natës, duke publikuar pamjet në rrjetet sociale për përfitime financiare.
Videot, të paraqitura si “shëtitje në këmbë” apo përmbajtje nga jeta e natës, janë publikuar në platforma si YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram. Ato fokusohen kryesisht te gra të veshura me fustane ose funde, shpesh të filmuara nga kënde të ulëta ose nga pas, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.
Sipas BBC-së, mbi 65 kanale me përmbajtje të ngjashme janë identifikuar online, me mbi tre miliardë shikime gjatë tre viteve të fundit. Hetimi ka arritur të identifikojë rreth 50 gra të filmuara, shumë prej të cilave thanë se nuk ishin në dijeni se ishin xhiruar.
Një 21-vjeçare e intervistuar u shpreh se ishte thellësisht e tronditur kur pa pamjet e saj të publikuara pa leje. “Ishte thjesht një natë normale, nuk kishim fare ide se po na filmonin,” tha ajo.
Videot janë xhiruar në qytete të ndryshme të botës, përfshirë Londrën, Mançesterin, Oslon, Miamin dhe Bangkokun, me Mançesterin si një nga vendndodhjet më të shpeshta. TikTok ka hequr disa kanale pas denoncimeve, ndërsa një pjesë e përmbajtjes vijon të mbetet aktive në platforma të tjera.
Rasti ka rihapur debatin mbi privatësinë, pëlqimin dhe përgjegjësinë e rrjeteve sociale për përmbajtjen që qarkullon në to.
