Skandal i rëndë/ Vëllai i ambasadorit shqiptar në BE, në qendër të dosjeve DURANA dhe AKSHI: Si u përfituan dhjetëra milionë euro nga tenderë sekretë

Data

Një tjetër skandal me përmasa të mëdha po trondit opinionin publik, ku përplasja mes diplomacisë dhe hetimeve penale sjell në fokus dy vëllezër: njëri përfaqësues i Shqipërisë në Bashkimin Europian, tjetri nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje në afera milionëshe.

Bëhet fjalë për Ferit Hoxhën, Ambasador i Shqipërisë në BE që prej korrikut 2024, dhe vëllain e tij Gëzim Hoxha, i cili rezulton i përfshirë në dosjen e AKSHI-t dhe në skemën e parkut fiktiv DURANA në Xhafzotaj. Sipas hetimeve, Gëzim Hoxha dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro nga tenderë sekretë të qeverisë, përmes kompanisë “First”, e cila del e përmendur në disa fashikuj të SPAK-ut.

Në dokumentet hetimore thuhet se kompania “First” ka kryer kreditime dhe transaksione të dyshimta me subjekte të tjera të përfshira në dosje, duke kaluar shuma që arrijnë deri në miliona euro. SPAK dyshon se këto veprime janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike dhe pastrimin e tyre përmes faturimeve fiktive.

Një nga pikat më të forta të hetimit lidhet me një tender sekret me vlerë rreth 60 milionë euro, i fituar në vitin 2024, periudhë që përkon me emërimin e Ferit Hoxhës si ambasador në BE. Vetë Gëzim Hoxha, në dëshminë e tij, ka pranuar bashkëpunime dhe nënkontraktime me kompani të tjera, ndërsa ka pohuar edhe pagesa të mëdha financiare që po verifikohen nga organet e drejtësisë.

Hetimet zbulojnë gjithashtu se Gëzim Hoxha ka regjistruar dy kompani të reja në parkun DURANA në Xhafzotaj, pa aktivitet real ekonomik, të dyshuara si kompani guaskë për pastrimin e parave. Këto subjekte përfitojnë lehtësi fiskale dhe rezultojnë të regjistruara në një park teknologjik që, sipas akuzave, ekziston vetëm në letra.

Ndërkohë, ndaj Gëzim Hoxhës është vendosur masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndërsa hetimet për pastrim parash dhe përfshirje në organizatë kriminale vijojnë. Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim publik nga ambasadori Ferit Hoxha për akuzat dhe lidhjet e ngritura nga dosjet hetimore.

Autoritetet theksojnë se hetimi është në zhvillim dhe se çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë. Megjithatë, rasti ka ngritur pikëpyetje të forta mbi konfliktin e interesit, transparencën dhe besueshmërinë e institucioneve shqiptare në procesin e integrimit europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related