Një denoncim shpërthyes ka tronditur Urdhrin e Stomatologëve, duke vendosur në qendër të akuzave presidentin aktual, Almiro Gurakuqi, për lëshim licencash me një vulë që dyshohet se është jashtë çdo standardi ligjor.
Sipas dokumenteve të publikuara, bëhet fjalë për një praktikë të dyshuar të paligjshme që mund të ketë prekur dhjetëra mjekë dhe të ketë vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e dokumenteve zyrtare të lëshuara që prej vitit 2024.
Denoncimi është bërë nga ish-presidenti, Nikoll Deda, i cili ka ngritur alarmin për atë që cilësohet si një shkelje e rëndë procedurale. Verifikimet e para nga strukturat e Policisë kanë nxjerrë në pah se procedura për prodhimin e vulës nuk është ndjekur sipas ligjit, duke e çuar çështjen në nivelet më të larta të autoriteteve.
Por skandali nuk ndalet këtu.
Rezulton se vetë Gurakuqi, më 9 prill 2025, ka kërkuar pajisjen me një vulë të re, një veprim që hedh hije të forta dyshimi mbi dokumentet e firmosura më herët. Kjo ngre pyetje të rënda: a janë të vlefshme licencat e dhëna deri tani? Dhe kush mban përgjegjësi nëse ato rezultojnë të paligjshme?
Ky zhvillim vjen në një moment kur Urdhri i Stomatologëve është prej vitesh i përfshirë në një luftë të brendshme për pushtet mes Nikoll Deda dhe Gurakuqit, konflikt që ka prodhuar vendime të kontestuara dhe ka dëmtuar besimin te institucioni.
Madje, edhe Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar më herët vendime kyçe të këtij institucioni, duke thelluar krizën dhe duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën e funksionimit të tij.
Tani, presioni është mbi organet e drejtësisë dhe Policinë: a do të zbardhet ky skandal deri në fund dhe do të ketë përgjegjësi konkrete, apo gjithçka do të mbyllet në heshtje, ndërsa një sektor jetik për shëndetin publik mbetet në kaos?
