Shprehja që vjen nga historia franceze e shekullit XVII se “Revolucioni ha bijtë e vetë” mund t’i shkoj shumë për shtat një situate, e cila po ndodh tashmë mes “baballarëve” të Reformës në Drejtësi. Individë, të cilët u prezantuan si “Ekspertë të Nivelit të Lartë” për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe që më pas morën pozicione titullare në “Drejtësinë e Re”, tashmë kanë nisur të kacafyten mes njëri-tjetrit.
Njëri nga këta persona është Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës. Në një intervistë “të çuditshme”, dhënë së fundmi për gazetaren Elona Meço në Televizionin Publik Shqiptar, ai u ankua se po i bëhet “shantazh”, por pa treguar se kush janë autorët e këtij “sulmi” të pretenduar ndaj tij.

Ndërkohë, duket disi e paqartë se cili apo cilët janë personat që “po e shantazhojnë”. Megjithatë, ai jep disa elementë që e orientojnë dyshimin se dora që fshihet pas këtij “shantazhi” mund të jetë Sokol Sadushi, një tjetër “Ekspert i Nivelit të Lartë” në Reformën në Drejtësi, paraardhës në detyrë i Arben Rakipit tek Magjistratura dhe aktualisht kryetar i Gjykatës së Lartë.
Në intervistë, Rakipi flet për “njerëz me pushtet, brenda sistemit (të drejtësisë)”, që “kanë fituar tituj akademik me plagjatura” dhe që “po i bëjnë presion, pasi ai ka përjashtuar 5 studentë të Shkollës”, pasi janë kapur me kopje.
