Aksi rrugor Librazhd–Qafë Thanë vijon të mbetet i bllokuar pas një rrëshqitjeje masive të dheut, duke krijuar rrezik të lartë për shembje të mëtejshme dhe duke ndërprerë plotësisht qarkullimin.
Sipas raportimeve nga terreni, kalimi është i pamundur jo vetëm për mjetet e transportit dhe automjetet private, por edhe për autoambulancat dhe zjarrfikëset. Autoritetet kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, ndërsa paralajmërojnë se lëvizja e dheut vijon.
Banorët ecin në këmbë
Bllokimi ka sjellë vështirësi të mëdha për banorët e zonës. Shumë prej tyre janë detyruar të përshkojnë rreth 2 kilometra në këmbë, në kushte të ftohta, për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, ku i presin familjarët me mjete. Mes tyre ka pasur edhe fëmijë të vegjël dhe të moshuar.
Probleme në shërbimet shëndetësore
Situata rëndohet nga mungesa e një pediatri në Prrenjas. Në rast urgjence, familjet duhet të drejtohen fillimisht në Librazhd dhe më pas, nëse është e nevojshme, në Pogradec, çka tashmë është shumë më e vështirë për shkak të izolimit të aksit.
Rrugë alternative
Autoritetet kanë orientuar përdorimin e rrugëve alternative:
- Për mjetet e lehta rekomandohet aksi Maliq–Lozhan–Gramsh.
- Për mjetet e tonazhit të rëndë sugjerohet kalimi nga Qafë Thana drejt Maqedonisë së Veriut, përmes pikës doganore të Bllatës dhe më pas në rrugën e Arbrit.
Devijimi pritet të dyfishojë kohën e udhëtimit, duke e çuar deri në 12 orë për kamionët. Ndërkohë, banorët shprehen se jeta e tyre është vështirësuar ndjeshëm, pasi shumë familje kanë mbetur të ndara në dy anët e rrugës dhe rreziku për shembje të plotë të segmentit mbetet i lartë.
