Silvinjo thotë se nuk ka inate personale me askënd”, premton më të mirë në duelin e sotëm me Gjeorgjinë

Data

Trajneri i Kombëtares, braziliani Silvinjo, doli dje në konferencë shtypi, ku prezantoi objektivat e skuadrës për duelin e sotëm me Gjeorgjinë, një ndeshje që kuqezinjtë duhet ta fitojnë nëse dëshirojnë të marrin kreun e grupit. Gjeorgjia duket të jetë rivali kryesor në grup, sidomos pas fitores që bëri ndaj Çekisë, ndaj kuqezinjve të Silvinjos u del për detyrë ta fitojnë këtë duel. “Do mundohemi të bëjmë një përfaqësim sa më të mirë. E kam thënë që ky është një grup i ekuilibruar. Ukraina është shumë e fortë. Gjeorgjia gjithashtu dhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Çdo trajner e përgatit skuadrën për ta fituar. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, stadiumi do të jetë plot.

Ne duam të përfaqësojmë sa më mirë kombin në ndeshjen e nesërme. Skuadra ishte e vendosur mirë me Ukrainën. Është kohë shumë e vogël për të rikuperuar për lojtarët. Sot do të jetë stërvitja e parë pas kthimit nga Praga. Gjithë stafi dhe ne do të vendosim se cilët do të jenë lojtarët e duhur për t’u hedhur në fushë. Do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi 23 lojtarë të gatshëm, të gjithë janë në formë të mirë. Është akoma shumë herët, ndoshta nesër pas drekës do të kemi një pamje më të gjerë”, theksoi Silvinjo. Për Silvinjon Gjeorgjia është ekip i fortë, por braziliani pranoi se e ka studiuar atë prej tre muajsh dhe e njeh mirë forcën dhe cilësitë e saj.

“Ne kemi studiuar dhe e kemi parë prej muajsh ekipin e Gjeorgjisë. Të tre kundërshtarët e grupit janë të fortë, por diferenca mes Gjeorgjisë dhe të tjerët është që në Europian, ata u kualifikuan nga grupi. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Mendoj se ata si ekip janë rritur shumë. Doja t’i jepja komplimente skuadrës, trajnerit dhe federatës së Gjeorgjisë. Gjithashtu dhe ne po rritemi shumë. Mendoj se do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Në momentin që nis ndeshje janë 90 minuta që duhen të luhen. Është bërë një punë e mirë nga stafi. Lojtarët e dinë që duhet të sjellin shumë forcë dhe të posedojnë topin, sepse futbolli të konsumon shumë energji. Dua të rikujtoj një shprehje të Klop. Nëse nuk bën gabime nuk ke pse kthehesh në mbrojtje. Gjithsesi Gjeorgjia është shumë e fortë. Shumë e bukur për t’u parë, shumë e organizuar dhe besoj se do të jetë një ndeshje vërtet e bukur. E kam parë ndeshjen e Gjeorgjisë me Rep. Çeke. Grupi është i balancuar. Nuk ka ndonjë ekip që mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Rep. Çeke dhe Gjeorgjia e njohin mirë njëra-tjetrën. Ky është një kompeticion shumë i vështirë, duke parë që luhet për vetëm tre muaj. Por deri në nëntor kemi shumë kohë përpara”, shtoi Silvinjo.

Raporti me grupi

Trajneri i Kombëtares sqaroi edhe pakënaqësitë që janë krijuar në ekip, por ai tha se s’ka asgjë personale me askënd dhe zgjedhjet janë në varësi të lojës së grupit dhe objektivave që vetë trajneri ka në krye të skuadrës. “Nuk kam asgjë personale me lojtarët. ‘Rikujtoj një shprehje të Ançelotit. Një lojtar mund të mërzitet me mua si trajner, por jo me mua si Karlo’. Kujtoj se kemi bërë një Europian të bukur, ku mund të pësonim 4-5 gola. Unë e shoh si një cikël i ri që duhet të përmirësohet. Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Tashmë kemi sjellë Zekën dhe Spahiun”, nënvizoi Silvinjo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related