Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Donald Trump dhe liderë të tjerë rajonalë lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin.
Sipas një njoftimi nga presidenca turke, Erdogan është shprehur se Ankaraja është e gatshme të ofrojë çdo lloj mbështetjeje për zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme që synon uljen e tensioneve dhe rikthimin e stabilitetit në rajon.
Gjatë bisedës, presidenti turk theksoi rëndësinë strategjike të Ngushtica e Hormuzit, duke deklaruar se garantimi i kalimit të lirë në këtë korridor jetik detar do të ndikonte pozitivisht në ekonominë globale dhe në sigurinë energjetike ndërkombëtare.
“Problemet me Iranin mund të zgjidhen”, mësohet të ketë deklaruar Erdogan gjatë komunikimit me Trumpin.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme për transportin botëror të naftës dhe gazit, ndërsa tensionet e fundit mes SHBA dhe Iranit kanë rritur shqetësimet për destabilizim ekonomik dhe ushtarak në rajon.
Telefonata vjen në një moment kur kontaktet diplomatike mes fuqive ndërkombëtare dhe vendeve të Gjirit janë intensifikuar për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe për të arritur një marrëveshje të re mbi çështjet bërthamore dhe sigurinë rajonale.
