Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të përfshijë edhe përmbytjet, jo vetëm tërmetet

Data

Qeveria shqiptare ka rishikuar sërish projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke zgjeruar skemën e mbulimit të rreziqeve. Përveç tërmeteve, në sigurimin e detyrueshëm do të përfshihen edhe përmbytjet.

Projektligji i ri është riemërtuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet” dhe synon të mbulojë humbjet financiare të pësuara nga pronarët e banesave si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga këto dy rreziqe natyrore.

Zgjerimi i skemës me përmbytjet pritet të rrisë edhe koston e primit të sigurimit, krahasuar me modelin e mëparshëm që mbulonte vetëm dëmet nga tërmetet.

Fond Kombëtar për sigurimin e detyrueshëm

Edhe në variantin e përditësuar të projektligjit parashikohet krijimi i një Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, i cili do të administrojë skemën dhe do të sigurojë banesat, si edhe ambientet brenda tyre që përdoren si zyra, njësi shërbimi apo për qëllime të tjera të ngjashme.

Fondi do të krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në përputhje me ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

Shuma maksimale e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat.

Si do të llogaritet primi

Metodologjia e përcaktimit të primit të sigurimit do të bazohet në model aktuarial, duke marrë parasysh nivelin e rrezikut nga tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri. Kjo metodologji do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pas marrjes së mendimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Këshilli i Ministrave do të përcaktojë gjithashtu kriteret për përzgjedhjen e agjentëve publikë dhe privatë, si dhe të shoqërive të sigurimit që do të angazhohen në menaxhimin dhe shpërndarjen e kontratave të sigurimit.

Afatet e dëmshpërblimit

Sipas projektligjit, dëmshpërblimi do të paguhet brenda tre muajve nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës, në varësi të shkallës së dëmtimit të banesës.

Detyrime dhe kufizime për qytetarët

Projektligji forcon mekanizmat e detyrimit për zbatimin e sigurimit të detyrueshëm. Personat që kërkojnë:

  • regjistrimin e banesës,
  • ndryshimin e regjistrimit,
  • apo shërbime të tjera kadastrale,

do të duhet të paraqesin një kontratë të vlefshme sigurimi të detyrueshëm me Fondin Kombëtar. Mungesa e kontratës do të pamundësojë marrjen e këtyre shërbimeve.

Gjithashtu, personat që nuk lidhin kontratën e sigurimit nuk do të përfitojnë shërbime përmes portalit e-Albania, si dhe shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ndërsa lista e shërbimeve të kufizuara do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Shoqëritë private të sigurimit nuk do të lejohen të lidhin kontrata sigurimi vullnetare për tërmete apo përmbytje për banesat që nuk kanë më parë sigurimin e detyrueshëm përmes Fondit Kombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related