Siguri e shtuar për ndërrimin e viteve: polici në terren dhe kontrolle të rrepta në qytete

Data

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë natës së ndërrimit të viteve, strukturat e policisë kanë hartuar dhe vënë në zbatim një plan të posaçëm masash, me shtim të ndjeshëm të prezencës policore në terren.

Forcat me uniformë dhe ato kriminale do të jenë të shpërndara në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në hapësirat ku pritet fluks i lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e mbarëvajtjes së festimeve.

Do të funksionojnë pika fikse kontrolli në hyrjet dhe daljet e qyteteve, ndërsa patrullimet e lëvizshme do të jenë të shtuara gjatë gjithë natës, për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të rritur nivelin e sigurisë.

Masat përfshijnë edhe intensifikimin e kontrolleve të qarkullimit rrugor, përmes patrullimeve të shtuara dhe monitorimit në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kontrollit të lëndëve piroteknike, për të shmangur rreziqe dhe ngjarje aksidentale gjatë festimeve.

Prezenca e policisë do të jetë e shtuar në sheshe publike, shëtitore, zona pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi, bare, restorante, lokale nate dhe qendra tregtare, për të garantuar një atmosferë të qetë dhe të sigurt për qytetarët.

Policia do të qëndrojë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë menjëherë në çdo rast nevoje, ndërsa qytetarët ftohen të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë gjatë festimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related