Ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga një debat i ndezur mbi ecurine e sezonit turistik të këtij viti. Një numër gjithmonë e më i madh zërash janë duke artikuluar se sezoni po shkon drejt dështimit, teksa shpesh në rrjetet sociale qarkullojnë edhe pamjet e plazheve bosh. Por qeveria vazhdon të trumbetojë se Shqipëria po përjeton një bum turistik, që sipas saj dëshmohet nga statistikat e hyrjeve të të huajve në pikat kufitare të vendit.
Por si qëndron e vërteta?
Kapitali konsultoi statistikat e platformës booking për rezervimet e periudhës 1 deri në 15 gusht, që përkojnë me pikun e sezonit turistik në Shqipëri dhe vendet fqinje konkurrentë në fushën e turizmit.
Shqipëria
Sipas të dhënave zyrtare nga booking, për periudhën nga 1-15 gusht Shqipëria ka gjithsej rreth 18 mijë prona të listuara në booking. Nga këto aktualisht janë të lira rreth 4782 prona, të cilat janë të disponueshme për t’u rezervuar. Për të njëjtën periudhë rezulton se norma e padisponueshmërisë në rang kombëtar është 73 për qind.

