Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka sqaruar kriteret dhe procedurën për kalimin në pronësi të truallit shtetëror që qytetarët kanë në përdorim, por pa akt të rregullt pronësie.
Sipas Kadastrës, ky shërbim u vjen në ndihmë individëve dhe subjekteve që zotërojnë ligjërisht vetëm ndërtesën e ndërtuar mbi truall shtetëror, ndërsa nuk kanë dokument pronësie për tokën ose akti ekzistues është i pavlefshëm.
Për të përfituar, duhet të plotësohen disa kushte bazë:
- Trualli dhe ndërtesa duhet të jenë në posedim të aplikuesit
- Ndërtesa të jetë përfituar ligjërisht (privatizim, blerje nga ndërmarrje shtetërore, ish-kooperativa bujqësore, njësitë vendore ose me leje ndërtimi pas vitit 1991)
- Ndërtesa të ketë funksion banimi ose social-ekonomik
- Trualli të jetë pronë shtetërore dhe jo pronë publike e patjetërsueshme
Për ndërtesat me funksion banimi, kalimi i truallit nga përdorimi në pronësi kryhet falas, pa asnjë kosto për qytetarët.
Dokumentacioni që kërkohet ndryshon sipas rastit, por përfshin kontrata pronësie mbi ndërtesën, leje ndërtimi, planimetri, deklarata noteriale, si dhe vërtetim për pagesën e taksës së truallit në përdorim nga viti 2010 e në vijim.
Aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, ndërsa dokumentet fizike dorëzohen edhe me postë pranë drejtorisë vendore të Kadastrës. Procesi synon të rrisë sigurinë juridike dhe të lehtësojë formalizimin e pronësisë për qytetarët.
