Rezoluta e PE për integrimin e Shqipërisë nxit përplasje interpretimesh, Enton Abilekaj: Dokumenti diplomatik fsheh ngecjen reale në luftën kundër korrupsionit

Data

Rezoluta e miratuar në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamenti Europian mbi progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit ka hapur debat të fortë politik në vend, duke u interpretuar në mënyra krejtësisht të kundërta nga qeveria dhe opozita.

Gazetari Enton Abilekaj, në një analizë televizive, argumenton se shkaku kryesor i këtij konfuzioni qëndron te vetë natyra e dokumentit. Sipas tij, rezoluta është hartuar në një gjuhë diplomatike dhe jo teknike, duke mos ofruar një vlerësim të qartë mbi bazën e meritave konkrete të Shqipërisë.

“Rezoluta flet njëkohësisht për progres dhe për ngecje. Nëse e lexon, nuk kupton nëse Shqipëria po ecën shpejt apo ka mbetur në vend,” u shpreh ai, duke theksuar se dokumenti përmban mesazhe të dyfishta.

Sipas Abilekajt, ndërsa në përmbledhje jepet ideja e një përparimi të shpejtë, pjesa konkrete e rezolutës evidenton probleme serioze, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e drejtësisë. Kjo kontradiktë, sipas tij, krijon hapësirë që të dy palët politike ta përdorin dokumentin për qëllime propagandistike.

Ai shton se përdorimi i gjuhës inkurajuese nga institucionet europiane nuk duhet të ngatërrohet me një pasqyrim real të situatës në terren. “Shprehja që Shqipëria po ecën shpejt është më shumë dëshirë sesa realitet,” theksoi gazetari.

Në këtë kontekst, ai paralajmëron se vendi përballet me një rrugë të vështirë përpara, veçanërisht në prag të vendimeve të rëndësishme të ministrave të jashtëm të BE-së për hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit.

Debati mbi rezolutën pritet të vazhdojë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të arrijë të përmbushë kushtet kyçe për avancimin në negociatat me Bashkimin Europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related