Shteti shet lirë e blen shtrenjtë. Miliona për qira te privatët, 1 euro për pronat publike

Data

Në rezidencën “Delijorgji”, që gjendet në anën jugperëndimore të Rrugës së Kavajës në Tiranë, e cilësuar si zonë luksoze, në katin e parë të një pallati gjenden përbri njëra-tjetrës zyrat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë (UKT). Nga pozicioni, zyrat publike “konkurrojnë” me imazhin e tyre fasadat e bizneseve private. Por “reklama” e këtyre shoqërive aksionere me pronësi publike ka një kosto jo të vogël. Nga kërkimet në burimet e informacionit online, qiradhënia e ambienteve për zyra në këtë zonë, referuar vlerave të tregut të lirë, shkon më së paku 20 euro për 1 m2 në muaj.

OSHEE, Bashkia Tiranë, si dhe UKT, refuzuan të vendosnin në dispozicion kopje të kontratave të objekteve të marra me qira, që “INA Media” i kërkoi bazuar në ligjin “Për të drejtën e informimit”.

Posta Shqiptare, një tjetër shoqëri në pronësi të shtetit, raporton se për një njësi me  sipërfaqe 125.46 m2 në rrugën “Reshit Petrela”, pranë vendit të njohur si Stacioni i Trenit, paguan çdo muaj më shumë se 464 mijë lekë (rreth 4640 euro) – afro 37 euro për m2 në muaj. Posta Shqiptare në të gjithë qarkun e Tiranës ka marrë me qira 28 objekte, me një vlerë në total më shumë se 3.5 milionë lekë ose 35 mijë euro në muaj.

Në qarkun e Korçës, Posta Shqiptare ka marrë me qira 7 njësi. Për pesë prej tyre, nga të cilat katër gjenden në zona rurale, paguhet çdo muaj 207 mijë lekë në total. Për një ambient me sipërfaqe 54 m2 në fshatin Plase është lidhur qiraja për shumën 130 mijë lekë në muaj (1300 euro). Dy kontrata janë 15-vjeçare: një në bulevardin “Gjergj Kastrioti” në Korçë për një sipërfaqe 46.8 m2, për të cilën është lënë garanci shuma 8 milionë lekë, ekuivalente me vlerën 80 mijë euro, ndërsa për një njësi 103.70 m2 paguhet vlera totale prej 15 milionë lekësh ose 150 mijë euro. Nga këto të dhëna, për të parën përllogaritet qira mujore në shumën 444 euro, ndërsa për të dytën 833 euro.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related