“Shteti ka rënë”, Korreshi: Rama po fiton kohë për të intimiduar dhe zhdukur prova

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka hedhur akuza të ashpra ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vendi ndodhet në një situatë të rëndë institucionale dhe morale. I ftuar në një emision televiziv, Korreshi tha se funksionimi i shtetit është paralizuar dhe se pushteti po përdor vonesat për të fituar kohë.

Sipas tij, “fati i vetëm i Ramës është se ka ende votat në Parlament”, ndërsa shtoi se mazhoranca ka humbur çdo limit dinjiteti. Deputeti demokrat kritikoi mënyrën se si janë mbyllur mbledhje pa datë të caktuar dhe, sipas tij, është përhapur qëllimisht ideja se ka pasur dakordësi me opozitën për shtyrje, gjë që ai e mohoi kategorikisht.

Korreshi theksoi se opozita kishte kërkuar vetëm një afat minimal 48 ose 72-orësh, ashtu siç kërkon Prokuroria e Posaçme dhe siç vepron gjykata në rastet e masave të sigurimit. Ai shtoi se pritja e Gjykatës Kushtetuese nuk ka më kuptim, pasi objekti i saj, sipas tij, ka rënë dhe situata është përkeqësuar, duke kaluar në kërkesë për heqje lirie.

Deputeti deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime serioze për prishje provash dhe intimidim të dëshmitarëve, duke paralajmëruar se çdo shtyrje e procesit mund të sjellë pasoja edhe më të rënda penale. “Çdo vonesë është vetëm marrje kohe për të intimiduar ose për të zhdukur prova”, u shpreh ai.

Korreshi kritikoi gjithashtu heshtjen e kryeministrit për skandalin në AKSHI, duke e cilësuar këtë si tregues të një gjendjeje edhe më dramatike. Ai përmendi edhe pamje të publikuara së fundmi, ku sipas tij shfaqen automjete që pretendohet se lidhen me persona të afërt me pushtetin dhe që lëviznin bashkë me eskortën e kryeministrit.

“Në këtë pikë, unë mendoj se shteti ka rënë. Po fitohet kohë për të negociuar dhe për të parë sa i implikuar është secili”, përfundoi Korreshi, duke shtuar se kryeministri është pjesë e kësaj situate po aq sa mund të dokumentohet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related