Italia, Danimarka dhe shtatë vende të tjera të BE-së duan që të ketë një interpretim të ri të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në sfondin e politikës së migrimit. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) me seli në Strasburg është përgjegjëse për respektimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të nënshkruar nga 46 shtete.
“Ruajtja e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës është fondamentale”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset. “Në sfondin e sfidave komplekse të kohës sonë detyra jonë është ta forcojmë Konventën dhe jo ta dobësojmë atë”, theksoi ai. “Në një shoqëri, kur mbizotëron shteti ligjor, drejtësia nuk duhet të bjerë nën presionin politik”, nënvizoi më tej Berset.
Në një letër të hapur, që u bë publike të enjten (22.05.2025) nga zyra e kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, disa vende anëtare të BE-së kërkojnë një debat parimor lidhur me interpretimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Shkas për këtë është shqetësimi, se konventa nuk është më e mjaftueshme për të reaguar ndaj sfidave aktuale, veçanërisht sa ka të bëjë me migrimin.
