Një i ri shqiptar ka përfunduar sërish në burg vetëm dy javë pasi ishte liruar nga qelitë, pasi bëri një gabim që çoi në arrestimin e tij.
Bëhet fjalë për Urim Pomarin, i cili sipas mediave britanike u rikthye në aktivitetin e trafikimit të kokainës menjëherë pas lirimit nga burgu.
Ai kishte krijuar një grup në platformën WhatsApp, ku dërgonte oferta për shitjen e dozave të kokainës, duke përdorur edhe emoji-n e dëborës si kod për drogën.
Megjithatë, gabimisht në këtë grup ai kishte përfshirë edhe numrin e oficerit të shërbimit të provës, tek i cili duhej të paraqitej çdo javë.
Oficeri denoncoi menjëherë rastin dhe policia kreu një kontroll në banesën e Pomarit, ku u gjetën sasi kokaine, peshore për peshimin e drogës dhe 1,255 paund para cash.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Nicola Talbot-Hadley theksoi se Pomari “nuk është një kriminel i sofistikuar” dhe e cilësoi si “budallallëk” faktin që ai kishte dërguar mesazhin pikërisht te oficeri i tij i provës.
Në përfundim, Pomari u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa paratë e sekuestruara në banesën e tij do të përdoren për qëllime bamirësie.
