Juristi Alban Daci ka hedhur kritika të forta ndaj Samiti i Diasporës në Tiranë 2026, duke e cilësuar atë më shumë si një spektakël formal sesa një platformë reale për përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
I ftuar në një emision televiziv, Daci u shpreh se samiti i mbajtur nga 13 deri më 16 prill në Tiranë i ngjante “kongreseve të dikurshme”, duke theksuar se diaspora nuk pati rol aktiv, por mbeti thjesht spektatore.
Sipas tij, organizimi kishte karakter më shumë ceremonial:
“Na thërrasin në mbrëmje gala, rezervojnë vendet për ministra e drejtorë, flasin vetë dhe ne mbesim spektatorë”, u shpreh ai.
Daci pranoi se në fillimet e tij samiti kishte një qasje pozitive, duke ndihmuar institucionalizimin e diasporës, por theksoi se me kalimin e kohës është deformuar në një aktivitet pa ndikim real.
Kritika për politikën dhe opozitën
Përtej samitit, ai u ndal edhe te situata politike në vend. Daci kritikoi mungesën e transparencës në Partinë Demokratike, duke vënë në dyshim proceset e brendshme zgjedhore nëse nuk ka garë reale për drejtimin.
Ai komentoi gjithashtu edhe zhvillimet në Partinë Socialiste, duke e parë çdo lëvizje politike si pjesë e kalkulimeve individuale dhe jo si reformë reale.
Protestat dhe lidershipi
Sa i përket protestave të opozitës, Daci u shpreh skeptik për efektivitetin e tyre, duke thënë se ato nuk prodhojnë më ndikim politik.
“Të gjithë e dinë që qeveria nuk largohet kështu. Por opozita duhet të jetë në lartësinë e duhur. Me këtë formë protestash, vetëm dëmton veten”, tha ai.
Në përfundim, juristi theksoi nevojën për reformim të thellë të opozitës dhe hapje të saj, duke e cilësuar këtë si kusht për rikthimin e besimit dhe konkurrencës reale politike në vend.
