Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se Shqipëria po “fundoset në moçalin e korrupsionit dhe grabitjes shtetërore”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale nga qelia, Meta iu referua raporteve ndërkombëtare ekonomike, duke përmendur raportin e Transparency International dhe atë të ALTAX.
Sipas tij, këto raporte tregojnë se rreth 1.1 miliard euro humbin çdo vit nga korrupsioni, klientelizmi dhe kapja e shtetit.
“Janë 1.1 miliard euro të vjedhura nga xhepat e shqiptarëve, që duhet të shkonin për paga e pensione dinjitoze, për spitale me ilaçe, shkolla, infrastrukturë moderne dhe mbështetje për fermerët”, shkruan Meta.
Ai akuzoi qeverinë se çdo tender, koncesion apo aferë publike “mban erën e grabitjes dhe pazareve mafioze”, ndërsa qytetarët përballen me varfëri, çmime të larta dhe mungesë shprese.
Në reagimin e tij, Meta shton se vendi po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe sociale, duke akuzuar mazhorancën për “pasurim mbi mjerimin e qytetarëve”.
Deklaratat e Metës vijnë në një moment debatesh të forta politike mbi korrupsionin, transparencën dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
