Gazetari Ferdinand Dervishi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka denoncuar një skandal që përfshin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
Sipas tij, më 22 Shkurt të vitit të kaluar, në pikën kufitare të Qafë Thanës është ndaluar një automjet “Mercedes Benz” e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që dyshohet se i përkiste drejtuesit të kësaj agjencie, Florian Sulejmanit.
Gazetari Dervishi thotë se gjatë kontrollit rutinë është zbuluar se ai automjet transportonte një sasi floriri të padeklaruar, teksa automjeti ishte pjesë e makinave të luksit të bllokuara nga krimi dhe që i ishte dhënë Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Taulant Balla.
Sipas denoncimit të gazetarit, pas konstatimit të floririt, punonjësit e Policisë janë bombarduar me telefonata nga eprorët e tyre dhe u është bërë presion që ta lejojë të kalojë nën justifikimin se është një operacion i AMP-së,.
Më vonë, gazetari thotë se automjeti u pajis me targa të tjera dhe ju dërgua Drejtorit të AMP-së së Vlorës, teksa përshkrimi “Agjencia e Mbikqyrjes Policore”, në faqen e TIMS, është fshirë.
