Shqipëria e zhytur në korrupsion, kryeson rajonin për nivelin e lartë të ryshfetit, zbardhet raporti alarmant

Data

Politikat anti-korrupsion në dekadën e fundit në Shqipëri nuk kanë dhënë ndonjë rezultat dhe niveli i korrupsionit mbetet njësoj si një dekadë më parë, sugjerojnë gjetjet e një vëzhgimi të kryer nga Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI) që u prezantua të enjten në Tiranë. Vëzhgimi përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina, të cilat mbështeten me asistencë financiare nga Bashkimi Europian nëpërmjet programeve që nxisin integrimin e këtyre vendeve. Të gjithë grafikët e prodhuar nga sondazhi i kryer në popullsinë e këtyre vendeve gjatë viteve 2022-2024, e nxjerrin Shqipërinë në krye të perceptimit për korrupsionin e lartë, nivelin e ryshfetit dhe mungesën e besimit se korrupsioni mund të mundej. Kurba e perceptimit të korrupsionit për Shqipërinë qëndron në të njëjtin nivel me atë të një dekade më parë, ndërsa vendet fqinje tregojnë një tendencë në rënie në vitet e fundit.

“Në 2023/2024, shqiptarët ishin më të cenuarit nga korrupsioni, pasi 80% e popullsisë shqiptare është e prirur për të pranuar ose ofruar ryshfet,” konstatohet në raport. Me përjashtim të Kosovës dhe Malit të Zi, përqindja e individëve që raportojnë se u kanë dhënë ryshfet zyrtarëve publikë është afërsisht në nivelin e një dekade më parë edhe në vendet e tjera. Shqiptarët shfaqen mungesë besimi me rënien në 20% të optimizmit në luftën anti-korrupsion në kontrast me vendet e tjera, ku shënohet një rritje e lehtë e besimit se korrupsioni mund të luftohet. Sipas SELDI-it, të dhënat tregojnë se “politikat antikorrupsion në rajon nuk priren të prodhojnë një efekt të qëndrueshëm”. Të dhënat e survejimit u diskutuan të enjten në Forumin Rajonal mbi Qeverisjen e Mirë me temë “Politikat Kundër Korrupsionit dhe kapjes së shtetit – Progresi drejt anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Apeli

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, apeloi për gjetjen e mekanizmave për ndryshimin e kësaj situate duke i cilësuar të dhënat për vendet e përfshira në studim si “shumë më të larta se mesatarja e BE-së”. Duke iu referuar Shqipërisë, ai tha se “presim që puna e qeverisë për strategjinë anti-korrupsion të miratohet dhe të zbatohet e plotë në veçanti në sektorët Kadastra, Tatimet, Dogana, prokurimi publik, arsimi dhe shëndetësia”. Ndërsa në një mesazh për gjithë rajonin ai theksoi se ishte e rëndësishme që të mos minoheshin përpjekjet e bëra kundër korrupsionit. “Është e rëndësishme që partnerët në rajon të shmangin veprimet që minojnë luftën anti-korrupsion, për shembull dobësimi i transparencës në prokurimin publik, apo akte ligjore të porositura të cilat anashkalojnë procedurat standarde, apo kufizimin e mandateve të organeve të pavarura anti-korrupsion”, u shpreh ai. Ambasadori vuri theksin tek forcimi dhe pavarësia e shoqërisë civile dhe përfshirja e saj aktive konsultimet për formësimin e politikave antikorrupsion dhe monitorimin e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related