“Shpresoj të vijë Delta Force dhe ta marrë Ramën” – Salianji: SPAK po godet qeverinë, por PD duhet të fitojë vetë

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shkaktuar reagime me një deklaratë ironike dhe provokuese, teksa komentoi situatën politike në Shqipëri dhe zhvillimet ndërkombëtare pas arrestimit të presidentit të Venezuelës nga forcat amerikane.

Salianji tha se, ndonëse “me humor” shpreson që një skenar i ngjashëm të ndodhë edhe në Shqipëri, rrëzimi i Edi Ramës nuk mund dhe nuk duhet të vijë nga ndërhyrje të jashtme, por nga zgjedhjet dhe alternativa politike e Partisë Demokratike.

Ai theksoi se SPAK ka bërë një punë të mirë, duke analizuar faktet dhe duke çuar zyrtarë përpara drejtësisë, por sipas tij, drejtësia nuk jep zgjidhje politike.

“SPAK analizon faktet dhe çon njerëzit para ligjit. Kjo është detyra e tij dhe e ka bërë mirë, sidomos kohët e fundit, duke i dhënë goditje të fortë qeverisë. Por nëse PD pret që SPAK të bëjë edhe punën politike, atëherë gabon rëndë,” u shpreh Salianji.

Ai shtoi se opozita nuk mund të presë që “zgjidhja të bjerë nga qielli”, por duhet ta ndërtojë vetë alternativën për të fituar zgjedhjet.

Në të njëjtën kohë, Salianji nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, duke thënë se PD duhet të ketë një qëndrim të qartë dhe të fortë në mbështetje të SPAK, si pjesë e forcimit të institucioneve dhe shtetit ligjor.

“SHBA nuk vijnë me Delta Force për të rrëzuar qeveri. Ato investojnë për institucione të forta. Prandaj PD duhet të jetë e qartë: mbështetje për SPAK, marrëdhënie të forta me partnerët dhe një alternativë reale për qytetarët,” përfundoi ai.

Deklarata e Salianjit rikthen në fokus debatin brenda opozitës: kush e rrëzon qeverinë – drejtësia apo vota, dhe sa gati është PD të marrë mbi vete këtë përgjegjësi politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related