Shpërthim tragjik gjatë festimeve të Vitit të Ri në Zvicër, humbin jetën disa persona

Data

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të Vitit të Ri në një bar në resortin luksoz të skive Crans-Montana në Zvicër, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur të shumtë.

Sipas policisë lokale, shpërthimi ndodhi rreth orës 01:30 në barin “Le Constellation”, i cili ishte i mbushur me turistë që festonin ndërrimin e viteve. Autoritetet konfirmojnë se ka të vdekur dhe shumë të plagosur, ndërsa bilanci i saktë ende nuk është bërë publik.

Shkaqet e shpërthimit nuk janë ende të qarta. Mediat zvicerane raportojnë se një nga pistat e hetimit lidhet me përdorimin e fishekzjarrëve gjatë një koncerti festiv, por policia nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ndërtesën e përfshirë nga flakët dhe një prani të madhe të zjarrfikësve, ambulancave dhe forcave të rendit. Zona u izolua menjëherë për arsye sigurie, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan operacionet e shpëtimit gjatë natës.

Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë dhe kanë bërë thirrje për qetësi, ndërsa priten informacione të reja zyrtare në orët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related