Ish-zëvendësministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si qeveria po menaxhon debatin publik rreth investimeve të planifikuara në zonat e mbrojtura, duke ngritur pikëpyetje mbi mungesën e zërit të institucioneve dhe ministrave përballë një çështjeje që ka nxitur protesta të shumta qytetare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çuçi thekson se debati për Zvërnecin, Sazanin dhe zhvillimet e tjera të ngjashme nuk është më thjesht një çështje politike, por prek drejtpërdrejt mjedisin, ekonominë, pronën, planifikimin e territorit dhe modelin e zhvillimit të Shqipërisë.
Sipas saj, në vend që të ketë një përballje argumentesh nga ministritë dhe institucionet përgjegjëse, e gjithë barra e komunikimit publik ka rënë mbi kryeministrin Edi Rama.
“Ku është ministri i Mjedisit që të shpjegojë pse një ndërhyrje në zonë të mbrojtur konsiderohet në interes publik? Ku është ministri i Ekonomisë që të argumentojë përfitimet ekonomike të këtij modeli zhvillimi? Ku është ministri i Drejtësisë që të flasë për çështjet e pronësisë dhe funksionimin e kadastrës?”, pyet Çuçi.
Ajo argumenton se ky fenomen përfaqëson atë që në filozofinë politike njihet si “monizëm i pushtetit”, ku institucionet humbin peshën e tyre dhe çdo vendimmarrje, debat apo përgjegjësi përqendrohet te një figurë e vetme politike.
“Në teori jetojmë në një republikë parlamentare me ndarje pushtetesh. Në praktikë, çdo debat publik përfundon tek ai. Ai mbron ligjin për zonat e mbrojtura, ai mbron investimet strategjike, ai drejton kadastrën, ai policinë dhe çdo vendim të rëndësishëm”, shkruan ish-zv.ministrja.
Në reagimin e saj, Çuçi shpreh shqetësimin se ministrat dhe drejtuesit institucionalë janë zhdukur nga debati publik, ndërsa përgjegjësitë politike dhe administrative nuk po ushtrohen në mënyrë transparente.
Ajo thekson se delegimi i kompetencave dhe firmave nuk mund të nënkuptojë shmangie nga përgjegjësia publike dhe kërkon që zyrtarët që kanë marrë vendime të rëndësishme të dalin para qytetarëve për t’i shpjeguar ato.
“Nëse ministrat nuk mund të mbrojnë politikat që kanë hartuar dhe institucionet nuk japin llogari për vendimet që kanë marrë, atëherë pyetja legjitime është: ku janë njerëzit të cilëve u është deleguar autoriteti për të qeverisur?”, përfundon reagimin e saj Ornela Çuçi.
Deklarata e ish-zëvendësministres vjen në një moment kur debatet mbi projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura dhe protestat qytetare kundër tyre vazhdojnë të dominojnë diskursin publik dhe politik në vend.
