Një vatër fruthi është evidentuar në një kopsht jo publik në Tiranë, ku deri tani janë konfirmuar 15 raste tek fëmijë të mitur. Të prekurit rezultojnë të pavaksinuar dhe dyshohet se infeksioni është përhapur mes tyre në ambientet e institucionit.
Prindërit janë njoftuar nga stafi edukativ që të mbajnë fëmijët në shtëpi, ndërsa vatra është izoluar për të frenuar përhapjen e mëtejshme.
Sipas të dhënave, mbulesa vaksinale për dozën e parë të MMR ka rënë në rreth 83%, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një nivel minimal prej 95% për të parandaluar shpërthimet. Ulja e vaksinimit lidhet me skepticizmin e disa prindërve dhe refuzimin e imunizimit.
Fruthi konsiderohet një sëmundje shumë ngjitëse dhe potencialisht e rrezikshme për fëmijët, veçanërisht kur nuk është kryer vaksinimi sipas kalendarit të detyrueshëm. Autoritetet shëndetësore pritet të monitorojnë situatën dhe të marrin masa për të shmangur përhapjen në institucione të tjera arsimore.
