Pjesëmarrja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Panairin ndërkombëtar të verës, rakisë dhe turizmit në Serbi, ka rikthyer polemikat dhe mosmarrëveshjet për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, përmes një konference për media të shtunën kritikuan kryeministrin Mickoski dhe koalicionin shqiptarë “VLEN”, pjesë e Qeverisë maqedonase, për qëndrime kontradiktore lidhur me këtë iniciativë.
“Lëvizja Besa (pjesë e koalicionit VLEN) atë kohë ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se është pjesëmarrëse në projektin Ballkani i Hapur, i cili sipas Besës, është një projekt serbo-rus… Kandidati presidencial nga koalicioni VLEN, Arben Taravari më 2 prill ka deklaruar se ka gati tre vite që e ka potencuar se Maqedonia (e Veriut) duhet të tërhiqet nga Ballkani i Hapur pasi nuk është iniciativë e mirë…”, tha deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
Kryeministri Mickoski, i cili po qëndron në Beograd që nga dita e premte, e cilësoi këtë ngjarje si një mundësi për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në iniciativë.
“Iniciativa rajonale krijon mundësi që e lidhin rajonin tonë me botën, dhe pikërisht kjo platformë është një shembull se si tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dorë”.
