Mediat italiane i ka kushtuar mjaft vëmendje ditët e fundit boshatisjes së kampit të Gjadrit dhe atij të portit të Shëngjinit nga administrata italiane. Goditjet që i dhanë gjykatat italiane marrëveshjes Rama – Meloni kanë bërë që pas dy dërgesave të para të emigrantëve, qeveria e Romës ka vendosur të bëjë një hap pas. Për momentin nuk do të ketë dërgesa të reja emigrantësh derisa të shprehet Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Në këtë mënyrë sipas gazetës qeveria italiane shpreson të lehtësojë mbingarkesën në burgjet italiane që tashmë janë në 130% të tyre si dhe të reduktojë kostot që ka për mbajtjen e këtyre të burgosurve. Sipas të njëjtave burime janë rreth 2800 të dënuar shqiptarë që qëndrojnë në burgjet italiane. Në shkrim flitet gjerësisht për bashkëpunimin në rritje të autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane në fushën e drejtësisë.
“Nisur nga ky bashkëpunim, bisedime të vazhdueshme konfidenciale po bëhen lidhur me hipotezën e rizhvillimit të qendrave për emigrantët në burgje, në mënyrë që të lehtësohet sistemi ynë penitenciar, i cili është gjithnjë e më i mbushur me njerëz dhe më pak i menaxhueshëm.
Ideja bazohet në një protokoll efektiv tashmë në përdorim që nga koha e kryeministrave Fatos Nano dhe Silvio Berlusconi, për të mos përmendur që Italia dhe Shqipëria janë përfshirë prej vitesh në marrëveshje ministrore dhe në departamentin e burgjeve, aq sa Italia në të shkuarën ka financuar ndërtimin e dy burgjeve në Shqipëri” – thuhet ndër të tjera në shkrim.
