“Shkelje e rëndë”/ Avokati Cakrani: Gjyqtarja Irena Gjoka është në hall të madh, Meta mbahet në paraburgim në kundërshtim me ligjin

Data

Ka nisur konferenca për mediat e avokatëve mbrojtës të Ilir Metës, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima, të cilët kanë denoncuar publikisht shkelje të rënda ligjore në trajtimin e çështjes ndaj klientit të tyre.

Avokati Kujtim Cakrani deklaroi se Ilir Meta po mbahet në paraburgim në kushte që, sipas tij, kanë kaluar çdo standard ligjor dhe human, ndërsa procedurat gjyqësore po zvarriten në mënyrë të pajustifikuar.

Sipas Cakranit, hetimet kanë përfunduar më 4 gusht 2025 dhe që prej asaj date Meta ndodhet në fazën e seancës paraprake. Megjithatë, edhe pas më shumë se katër muajsh e gjysmë, seanca ende nuk ka nisur, çka përbën një shkelje të rëndë procedurale.

“Prej katër muajsh e gjysmë nuk ka filluar seanca paraprake. Kjo është një shkelje e rëndë që e ka kthyer drejtësinë në një drejtësi inkuizitore”, u shpreh avokati.

Ai shtoi se Metës nuk i është dhënë mundësia të komunikojë me qytetarët dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ndaj tij janë hedhur vazhdimisht akuza dhe sulme publike.

Mbrojtja ka depozituar kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen në paraburgim. Gjatë fjalës së tij, Cakrani lëshoi edhe akuza të forta ndaj gjyqtares së çështjes.

“Gjyqtarja Irena Gjoka është në hall të madh, sepse është e kapur dhe e shantazhuar. Ne do ta vazhdojmë betejën ligjore deri në fund”, deklaroi ai.

Sipas avokatëve, çështja e Ilir Metës po trajtohet në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe paraburgimi i tij po përdoret si mjet presioni dhe ndëshkimi politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related