Në Shqipëri që prej 1 janarit të vitit 2025 për afro 900 mijë mjete rrugore do të ketë një mënyrë të re të përllogaritjes së çmimit të sigurimit të detyrueshëm. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, përmes një rregulloreje ka shtuar disa faktorë risku, që kanë sjellë rritje çmimi të sigurimit të automjeteve që shkon edhe në 20%.
Sipas Byrosë Shqiptare të Sigurimit, rritja totale është vetëm 3%. Rregullorja që i vjen në ndihmë edhe sigurisë rrugore po shkakton debate në lidhje me disa elementë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picari sjell një analizë të detajuar në lidhje me këtë çështje.
Në Shqipëri mjaft qytetarë janë përballur që prej fillimit të vitit me rritje të çmimit të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. Dy prej tyre i konfirmuan Zërit të Amerikës se sigurimi i automjetit këtë vit iu kushtoi gati 10 dhe 15 % më shumë se një vit më parë.
Një ligj i miratuar në vitin 2021 për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit solli një qasje tjetër në këtë fushë duke i lënë hapësirë Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare të përpilojë një rregullore të re në shtator të vitit 2023, që shton ndjeshëm faktorët e riskut, në përllogartjen e primit të sigurimit.
Më herët merreshin në konsideratë fuqia motorike e autmojetit dhe viti i prodhimit, ndërsa që prej janarit të këtij viti janë shtuar disa faktorë të tjerë risku si mosha e të siguruarit, eksperienca në drejtimin e mjetit motorik, përdorimi i mjetit nga një subjekt apo individ dhe qarku i regjistrimit të mjetit.
