Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar ashpër pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj Francës dhe vendeve të tjera evropiane, duke i cilësuar këto kërcënime si të papranueshme dhe të pajustifikuara.
Macron deklaroi se Franca dhe Evropa janë të palëkundura në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe sigurisë së tyre, duke theksuar se asnjë presion apo frikësim ekonomik nuk do të ndikojë vendimmarrjen evropiane. Sipas tij, kërcënimet me tarifa nuk kanë vend në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bien ndesh me parimet e bashkëpunimit mes aleatëve.
Duke iu referuar edhe tensioneve të fundit që lidhen me Groenlandën dhe stërvitjet ushtarake në Arktik, Macron nënvizoi se këto çështje kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe nuk mund të trajtohen përmes presioneve tregtare.
Ai paralajmëroi se nëse tarifat konfirmohen, vendet evropiane do të reagojnë në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar, për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike dhe politike. “Evropa di të mbrojë veten dhe sovranitetin e saj”, ishte mesazhi i qartë i Macronit, duke lënë të kuptohet se një përplasje tregtare do të marrë përgjigje të fortë nga Brukseli.
