Qeveria ka lançuar “Paketën e Maleve” e cila synon të tërheqë investime për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në ato zona malore me përparësi të veçantë me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shfrytëzimin me eficiencë të burimeve të natyrës.
Projektligji i miratuar në mbledhjen e qeverisë, parashikon shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi si dhe zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Drafti në fjalë i hap dritën jeshilë kalimit të pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.
Në këtë rast, posedues jo pronarë, quhen ata individë të cilët ushtrojnë posedim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore, duke e përdorurur atë sikur të ishte ai pronari i saj.
Për këtë, subjekti paraqet dokumentacion provues, por megjithatë mungesa e dokumentacionit nuk pengon procedurën administrative për njohjen e tij si “posedues jopronar” dhe merret i mirëqenë deklarimi i subjektit për sa kohë nuk paraqiten prova nga të tretët për të kundërtën gjatë afishimit publik dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
