Presidenti i Irani, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm t’i japë fund luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse sigurohen garanci që konflikti nuk do të përsëritet.
Në deklaratën e tij, ai theksoi se ekziston “vullneti i nevojshëm” për paqe, por kërkesat për siguri janë thelbësore për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të ndërtuar një marrëveshje të qëndrueshme.
Pezeshkian shtoi se Irani ka qenë i hapur ndaj dialogut dhe ka bërë thirrje për përpjekje të sinqerta nga të gjitha palët për të arritur një zgjidhje diplomatike.
Në të njëjtën kohë, Vladimir Putin ka diskutuar situatën në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik me liderët e rajonit, duke theksuar nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe për intensifikim të përpjekjeve diplomatike.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, pasi raportohen edhe incidente pranë objekteve ndërkombëtare në Teheran, ndërsa Irani ka akuzuar SHBA-në dhe Bashkimin Europian për mbështetje të politikave armiqësore ndaj tij.
Nga ana tjetër, Kina dhe Pakistani kanë shprehur gatishmëri për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, duke shtuar përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një përgjigje zyrtare nga SHBA-të për këtë iniciativë, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo përpjekje do të çojë drejt një marrëveshjeje konkrete për përfundimin e konfliktit.
