“Shifrat janë tronditëse”/ Partia e Lirisë akuza të forta: Shqipëria drejt krizës demografike, lindjet bien me 35% dhe të rinjtë largohen masivisht

Data

Partia e Lirisë ka ngritur alarmin për një krizë të thellë demografike në vend, duke theksuar rënien drastike të lindjeve dhe largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në këtë forcë politike, Arla Merja, deklaroi se në vetëm një dekadë numri i lindjeve ka rënë me rreth 35%, ndërsa vendi po i afrohet një niveli kritik prej afro 20 mijë lindjesh në vit.

Sipas saj, kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me emigrimin e të rinjve, të cilët po largohen për shkak të kushteve ekonomike dhe mungesës së perspektivës në vend.

“Sa më shumë të rinj largohen, aq më pak lindje ka. Sa më pak lindje, aq më shpejt plaket dhe shuhet ky vend”, u shpreh Merja, duke e cilësuar fenomenin jo më si problem social, por si një kërcënim kombëtar.

Në deklaratën e saj, ajo akuzoi qeverinë për mungesë reagimi dhe politika të dështuara, duke theksuar se të rinjtë, sapo largohen nga Shqipëria, ndërtojnë familje dhe krijojnë jetë jashtë vendit, çka sipas saj tregon dështimin e brendshëm.

Partia e Lirisë kërkon ndërhyrje të menjëhershme me politika konkrete që synojnë mbështetjen e familjeve të reja, rritjen e pagave dhe krijimin e kushteve për të frenuar emigrimin, në mënyrë që të ndalet zbrazja e vendit dhe plakja e popullsisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related