Kryeministri Edi Rama e cilësoi dje një lajm shumë të mirë përmirësimin e vlerësimit të Shqipërisë në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme, nga “Standard & Poor’s Global Ratings”.
“Lajm shumë i mirë. Në raportin e saj më të fundit, agjencia prestigjioze ndërkombëtare e vlerësimit, “Standard & Poor’s Global Ratings”, pikë referimi e palëvizshme për tregjet financiare, investitorët dhe vlerësuesit e shteteve, ka përmirësuar përsëri vlerësimin afatgjatë të kreditit të Shqipërisë në “të qëndrueshme” (në “BB” nga “BB-“) duke e ngritur më tej vendin tonë në një nivel të ri, e duke konfirmuar edhe nga ky këndvështrim progresin e pandalur të Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
“E di që ata që ankohen për 2 minuta shaka me Lulin se duan program, nuk do e lexojnë këtë lajm”, shtoi më tej kreu i qeverisë. Ministria e Financave bëri të ditur sot se ky vlerësim vjen si rrjedhojë e performancës së qëndrueshme ekonomike dhe fiskale të Shqipërisë gjatë viteve të fundit. S&P thekson se përmirësimi i vlerësimit pasqyron forcën e performancës ekonomike dhe fiskale të Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Që nga viti 2019, borxhi i përgjithshëm bruto i qeverisë ka rënë me 10 pikë përqindje të PBB-së, deficiti i llogarisë korrente është më shumë se përgjysmuar, dhe flukset neto të investimeve të huaja direkte kanë mbetur të fuqishme. Një pjesë e konsiderueshme e këtij përmirësimi i atribuohet eksporteve të shërbimeve, të cilat janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2019, duke reflektuar veçanërisht suksesin e sektorit të turizmit.
