Policia në Korçë ka zbardhur detaje të reja lidhur me një konflikt mes disa të rinjve, i cili përfundoi me plagosjen e një të mituri.
Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar, i identifikuar me inicialet A. P., i cili akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje”, “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 2 të qytetit, ku disa të rinj janë përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta, duke përdorur edhe sende të forta.
Gjatë përplasjes, 19-vjeçari dyshohet se ka plagosur me mjet prerës një 15-vjeçar, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me këtë rast, policia ka nisur procedim penal edhe për një 18-vjeçar dhe tre të mitur të tjerë, përfshirë dy 17-vjeçarë dhe një 15-vjeçar.
Si prova materiale janë sekuestruar një automjet dhe një send i fortë (dru), të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
