Avokati i Popullit ngre alarmin për burgjet dhe paraburgimet në Shqipëri, Endri Shabani: 60% e të burgosurve pa vendim të formës së prerë, askush nuk duhet të mbahet në qeli pa dënim

Data

Kreu i Avokati i Popullit, Endri Shabani, ngriti alarmin për situatën në burgjet dhe paraburgimet shqiptare, duke deklaruar se kushtet e mbajtjes, mungesa e trajtimit shëndetësor dhe numri i lartë i personave në paraburgim përbëjnë një problem serioz për të drejtat e njeriut në Shqipëri.

Gjatë një aktiviteti në Pogradec me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Shabani deklaroi se rreth 60% e personave që ndodhen aktualisht në burgjet shqiptare nuk janë dënuar ende me vendim të formës së prerë.

“Askush nuk duhet të mbahet në burg pa një vendim përfundimtar, përveç rasteve kur plotësohen kushtet e përcaktuara qartë nga ligji”, u shpreh ai, duke theksuar se paraburgimi duhet të mbetet masë përjashtimore dhe jo praktikë rutinë.

Sipas tij, kjo përqindje është gati trefishi i mesatares europiane, ku më pak se 25% e personave në burgje janë të padënuar.

Endri Shabani foli gjithashtu për kushtet e rënda në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke evidentuar mungesën e trajtimit mjekësor dhe vonesat në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore.

“Vetëm gjatë katër muajve të fundit kanë humbur jetën pesë persona në burgje. Kemi konstatuar raste kur të burgosurve u është dashur të presin deri në dy muaj për të takuar një mjek kardiolog”, deklaroi ai.

Ai shtoi se problematikat më serioze janë evidentuar në burgjet e Durrës dhe Lezhë, ku sipas raportimeve të institucionit të Avokatit të Popullit, ka mungesë të trajtimit adekuat për personat me probleme shëndetësore dhe të shëndetit mendor.

Duke komentuar debatin publik për trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta, Shabani tha se fokusi i institucionit nuk janë “të burgosurit VIP”, por qytetarët e zakonshëm që nuk kanë mundësi të dëgjohen.

“Avokati i Popullit duhet të flasë sidomos për ata që nuk kanë zë”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, kreu i Avokati i Popullit ngriti shqetësime edhe për situatën sociale në vend, duke deklaruar se ndihma ekonomike nuk garanton më një jetë me dinjitet për familjet shqiptare, ndërsa rreth 20 mijë të moshuar jetojnë të vetmuar dhe pa mbështetje institucionale.

Sipas Shabanit, sfida kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian mbetet zbatimi real i ligjeve dhe garantimi i aksesit në drejtësi.

“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related