Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore (DRT) kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë informimi dhe asistence për tatimpaguesit, me qëllim zbatimin e ligjit të ri “Për Tatimin mbi të Ardhurat”. Kjo përpjekje ka rezultuar në asistimin e mbi 21,000 tatimpaguesve përmes kanaleve të ndryshme. Referuar të dhënave, janë asistuar ballë për ballë 7,327 tatimpagues të cilat kanë marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në zyrat e DPT dhe DRT-ve. Ndërkohë, 2,692 tatimpagues kanë marrë informacionin e nevojshëm përmes telefonit nga Drejtoritë Rajonale Tatimore.
Gjithashtu, 9,812 tatimpagues kanë marrë përgjigje përmes platformës elektronike e-Filing. Shërbimi Tatimor, njofton se 1,502 tatimpagues janë asistuar përmes thirrjeve hyrëse në qendrën e thirrjeve. Për të siguruar që bizneset dhe individët të jenë të informuar dhe të përmbushin saktë detyrimet e tyre tatimore sipas ligjit të ri, DPT ka publikuar në faqen e saj zyrtare legjislacionin përkatës, përfshirë ligjin Nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” dhe aktet nënligjore të lidhura me të. Këto dokumente janë të disponueshme për t’u shkarkuar dhe studiuar nga çdo tatimpagues.
