Anija me mbetje toksike mbërrijnë në Portin e Durrësit, prokuroria sekuestron 102 kontejnerë….

Data

Prokuroria e Durrësit sekuestroi dje 102 konteinerët e mbushur me 2 mijë e 100 ton mbetje metalurgjike që dyshohet se janë lëndë të rrezikshme. Prokuroria urdhëroi mos-hapjen e konteinerëve dhe ruajtjen e tyre në një vend të sigurt, nën vëzhgimin e pandërprerë të kamerave. Drejtori ekzekutiv i grupit BAN, Xhim Paket, ishte ditën e djeshme në Durrës, ku u bëri thirrje autoriteteve për transparencë dhe hapje publike të konteinerëve, si dhe për analizim të mostrave nga disa grupe të pavarura në disa laboratorë të ndryshëm.

Detajet

Konteinerët u nisën nga Durrësi më 4 korrik drejt Tajlandës, e cila refuzoi ngarkesën pas alarmit, që dha organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit BAN”. Prokuroria urdhëroi Autoritetin Portual, Kapitenerinë, Doganën dhe Drejtorinë e Kufirit Policinë dhe Hetimin Doganor për të sekuestruar si provë materiale “konteinerët, të cilët janë transportuar sipas deklaratës doganore R27224 më 4 korrik të këtij viti me eksportues Sokolaj sh.p.k. dhe marrës GS Minerals Doo”, për hetimet e nisura dy muaj më parë “me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse”.

Dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta detajuan në urdhrin e tyre se sekuestrimi u krye bazuar në procedimin penal nën dyshimet për “kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “ndotje të ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, si dhe “shpërdorim detyre të funksionarit publik”. Po ashtu Zëri i Amerikës shkroi në një artikull se ka dyshime se firma Sokolaj nuk i ka deklaruar si “mbetje të rrezikshme” pluhurat metalurgjike dhe i ka shkarkuar në një mjedis të hapur në portin e Durrësit për t’i eksportuar më pas jashtë vendit. Po ashtu BAN ka dyshime se transporte të tilla janë kryer periodikisht nga ky port.

Alarmi i Rrjetit të Bazelit

Nga ana tjetër përfaqësuesi i grupit, Jim Puckett, tha dje se BAN-i është 95 për qind i sigurt që kjo ngarkesë ka mbetje të rrezikshme, ndaj presin një përgjigje të saktë mbi analizimin e mostrave. Ai shtoi se kjo lloj ngarkese kurrë nuk duhej eksportuar drejt Tajlandës, ku kishte marrë mostra nga një fabrikë atje dhe gjeti në to mbetje të rrezikshme nga metale të rënda si arseniku dhe plumbi e të tjera përtej niveleve të lejuara. “Ne besojmë që kjo ngarkesë e ka origjinën nga kompania e çelikut në Elbasan, një nga zonat e ndotura të Shqipërisë. Ndotja që kanë mbetjet e dala nga Shqipëria është përtej niveleve të lejuara dhe jemi shumë të shqetësuar se ky lloj eksporti vazhdon të ndotë zona nëpër botë si fusha bujqësore, njerëzit dhe mjedisin. Industria në Shqipëri ka një problem me ndotjen dhe zgjidhja nuk është që ajo të eksportohet në pjesë të tjera të botës, por ta trajtojë atë brenda vendit”, tha zoti Puckett.

BAN-i po ashtu shprehu gatishmërinë që të qëndrojë në Durrës për të mbështetur qeverinë shqiptare në kontrollimin dhe trajtimin e konteinerëve. Zoti Paket tha se Autoritetet ende nuk kanë reaguar për propozimet e tyre për të marrë mostra me transparencë dhe shpreson që ata të bien dakord. “Nëse vërtetohet dyshimi ynë që këto mbetje kanë dalë nga filtrat e Uzinës së Metalurgjisë në Elbasan, për të cilin ne jemi 95 për qind të sigurt, atëherë kjo është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe ky është një eksport kriminal, që nuk duhej bërë kurrë. Për këtë incident ndërkombëtar qeveria shqiptare ka përgjegjësi të plotë mbi dëmet ndaj privatëve dhe ndaj të tjerëve”, tha zoti Puckett. Ai shprehu shpresën që kthimi i kësaj anijeje në vendin e origjinës të jetë një mesazh që ky është vetëm fillimi dhe jo fundi i kësaj historie, dhe theksoi se Shqipëria ka shumë punë për të gjetur rrugët më të më mira se si t’i trajtojë këto mbetje të rrezikshme në të ardhmen.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related