Në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar me një mesazh të fortë, duke paralajmëruar se çdo vendim në favor të saj do të përbëjë një akt kundër interesit kombëtar dhe vlerave perëndimore.
Shehaj thekson se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që do të votojnë pro Ballukut dhe zyrtarëve të akuzuar për korrupsion do të humbasin përfundimisht besueshmërinë publike dhe, sipas tij, do të detyrohen të japin dorëheqjen.
Ai e cilëson një vendim të tillë si anti-Perëndimor dhe thekson se mbrojtja e të korruptuarve nuk mund të ndalë procesin e integrimit europian dhe fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Sipas Shehajt, çdo akt që bie ndesh me drejtësinë dhe interesin publik do të shënojë një humbje të parikuperueshme për institucionin dhe do të rëndojë mbi përgjegjësinë personale të çdo gjyqtari që voton në favor të korrupsionit.
