Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ngritur alarmin për rrezikun që, sipas tij, paraqet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.
Në një video-mesazh publik, Shehaj deklaroi se AKSHI administron të gjitha informacionet jetike të qytetarëve, përfshirë të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometrike, lëvizjet, gjobat dhe të dhënat financiare. Sipas tij, kjo përqendrim i jashtëzakonshëm informacioni përbën një rrezik të madh, sidomos në dritën e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Shehaj theksoi se, sipas hetimeve në zhvillim, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku dyshohet se janë ndryshuar pronarë pronash. Ai e cilësoi këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pronën private dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.
Në deklaratën e tij, Shehaj kritikoi ashpër faktin që drejtuesja e AKSHI-t vijon të qëndrojë në detyrë pavarësisht se ndodhet nën masë sigurie, duke theksuar se kjo situatë krijon kushte për abuzim me të dhënat personale dhe përdorimin e tyre për shantazh, presion apo manipulim.
Ai paralajmëroi se rreziku nuk kufizohet vetëm te pronat, por mund të shtrihet edhe në lirinë personale të qytetarëve përmes keqpërdorimit të të dhënave biometrike dhe sensitive. Shehaj u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos e pranojnë si normale këtë situatë, duke e cilësuar atë si një kërcënim serioz për demokracinë dhe sigurinë individuale.
Sipas tij, kontrolli mbi të dhënat jetike të qytetarëve nga struktura të dyshuara për lidhje kriminale përbën një precedent të rrezikshëm, që cenon themelet e shtetit të së drejtës dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
