Detaje të reja kanë dalë nga hetimet e SPAK lidhur me komunikimet e familjarëve dhe të afërmve të Aleksandër Prendi, ku zbulohet se ata përdornin pseudonime të koduara për t’iu referuar njëri-tjetrit në bisedat telefonike dhe në aplikacionin WhatsApp.
Sipas dosjes hetimore, Gëzim Prendi, babai i Aleksandër, Andrea dhe Pjetër Prendit, identifikohej me pseudonimin “Noizy”.
Ndërkohë, Aleksandër Prendi thirrej nga bashkëbiseduesit me nofkën “Nusja”, ndërsa Andrea Prendi përdorte pseudonimin “Q8”, në lidhje me automjetin “Audi Q8” që kishte në përdorim.
Në dosje thuhet se Pjetër Prendi, i njohur edhe si Pjetër Dragoti, identifikohej me pseudonimin “Kapedani”.
Po ashtu, Arsen Ceni, person i afërt me familjen, përdorte emrin “Strategu” në komunikimet e tij.
Sipas materialeve hetimore, pseudonimet janë zbuluar pas këqyrjes së telefonave celularë dhe analizimit të komunikimeve në aplikacionet e mesazheve.
“Nga bisedat e këqyrura vihet re se biseduesit thirren me pseudonime me njëri-tjetrin dhe përdorin pseudonime edhe për persona të tjerë”, thuhet në dosjen e SPAK.
Hetimet lidhen me përplasjen e armatosur të ndodhur në gusht 2024 në zonën e Bushat, ku objektiv i atentatit dyshohet se ishte Aleksandër Prendi.
