Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të dërguar një forcë të fuqishme detare drejt Gjirit Persik. Lëvizja u konfirmua nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se “shumë anije janë në lëvizje për çdo eventualitet”.
Sipas burimeve amerikane, aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln ka marrë urdhër të zhvendoset nga Deti i Kinës Jugore drejt rajonit, së bashku me grupin e saj sulmues, duke sinjalizuar një prani të shtuar ushtarake në një zonë tashmë të brishtë.
Trump u shpreh se shpreson që forca të mos përdoret, por theksoi se SHBA duhet të jetë e përgatitur. Paralelisht, ai la të hapur derën për bisedime me Teheranin, në një kohë kur protestat antiqeveritare në Iran janë intensifikuar.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar ashpër. Një zyrtar i lartë iranian deklaroi se çdo sulm ndaj vendit do të konsiderohet “luftë totale”, duke shtuar se ushtria iraniane ndodhet në gatishmëri maksimale për çdo skenar.
Situata po monitorohet nga afër nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa frika për një përshkallëzim ushtarak në rajon mbetet e lartë.
