Afera e “Gërdecit” ka lënë pas pasoja të rënda, duke përfshirë një tragjedi me shumë viktima dhe dëme të mëdha, e cila është bërë objekt i hetimeve të vazhdueshme, edhe jashtë Shqipërisë. Ndërsa në GJKKO vijon procesi gjyqësor ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për tragjedinë e 15 marsit 2008 në hetim është dhe një tjetër fraksion i dosjes për korrupsion dhe pastrim parash sa i takon trafikimit te municioneve. Mësohet se SPAK, ka gjetur prova të reja. Konkretisht Prokuroria Speciale mësohet se po asistohet nga autoritetet amerikane lidhur me këtë çështje, për të zbuluar lidhje të mundshme me korrupsionin dhe pastrimin e parave me trafikun e municioneve që sollën këtë katastrofë. Në një intervistë të fundit televizive, vetë Altin Dumani foli për hetime të përbashkëta që po zhvillon me FBI-në, teksa theksoi se aktualisht kanë të hapur çështje ku janë cenuar interesat e dy shteteve, SHBA-së dhe Shqipërisë.
“Kemi prezencë të FBI-së në zyrat tona, na është premtuar se edhe DEA do hapë në Tiranë. Ne kemi hetime të përbashkëta me SHBA-në, me FBI-në dhe me DEA-n. Hetime të përbashkëta ku cenohen interesat e dy shteteve tona”, tha Dumani. Pak kohë më parë kreu i SPAK tha se janë dërguar letër-porosi dhe po ashtu po bashkëpunohet me autoritetet e Uashingtonit, duke qenë se kompania që merrej me demontimin dhe fishekët ishte amerikane. Dumani tha se po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme që të zbardhet një herë e mirë kjo dosje.
Implikimi i Shkëlzen Berishës
Po kush është “koka” e kësaj afere që mund ta pësojë? Gazetari amerikan, Guy Lawson, ka implikuar djalin e ish-kryeministrit, në trafikun e fishekëve, ndërsa telashe Shkëlzen Berishës i ka hapur telashe edhe David Packouz. SPAK dërgoi një letër-porosi në SHBA dhe kërkoi të merret në pyetje Efraim Diveroli, i cili u dënua për trafik municionesh në Gërdec. Pak kohë më parë Packouz ka rrëfyer se Diveroli negocioi me Shkëlzen Berishën për të ulur çmimin e fishekëve. Ai ka treguar se si më pas fishekëve ju hoqën mbishkrimet kineze. “Efraimi mori vendimin që nuk donte të kishte rrezikun të humbiste një kontratë 300 milionë dollarëshe, kështu që në vend që t’i tregonte Ushtrisë Amerikane dhe të pranonte riskun që mund t’i hiqnin kontratën, ai vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin.
Ta hiqte nga kutitë me shenja kineze dhe t’i vendosnin në qese plastike dhe më pas në kuti kartoni. Në fakt donim ta bënim këtë përpara se zbuluam që municioni ishte kinez. Për shkak se në atë kohë ishte rritur çmimi i karburantit, dhe transporti me avion ishte shumë i shtrenjtë. Ndaj menduam se municioni ishte i paketuar në kuti druri të rënda, dhe nëse i hiqnim, do të ulnim shumë peshën, dhe do të dërgonim më shumë municion, në këmbim do të fitonim më shumë. Për ta bërë këtë, miku im Alex shkoi në Shqipëri dhe gjeti një prodhues kutish prej kartoni dhe e punësoi. Aty e kuptuam që ishte municion kinez, pasi vendosëm ta ripaketonim. Atëherë ne thamë “duhet ta ripaketojmë gjithsesi, por duhet të sigurohemi të heqim edhe shenjat kineze”. Ne u treguam shumë budallenj dhe e dërguam këtë me e-mail, duke lënë mundësi të mëdha gjurmimi”, deklaroi ai.
