Dy persona u arrestuan pasi u ngjitën në majën e Empire State Building, ku shpalosën një banderolë dhe realizuan një propozim për martesë.
Sipas autoriteteve, dyshja, e veshur me rroba të zeza dhe me fytyrat pjesërisht të mbuluara, vendosi një banderolë me mbishkrimin: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtet, bota njeh paqen.”
Nuk është bërë ende e ditur se si ata arritën të ngjiteshin në pjesën më të lartë të ndërtesës, e cila ka një lartësi prej rreth 443 metrash.
Pas shpalosjes së banderolës, të dy zbritën në një platformë më të ulët të strukturës. Aty, njëri prej tyre u ul në gjunjë dhe i propozoi partneres për martesë. Pas propozimit, çifti u përqafua dhe u puth.
Policia e Nju Jorkut nuk ka bërë publik identitetin e të arrestuarve. Megjithatë, sipas raportimeve, ata dyshohet të jenë Angela Nikolau dhe Ivan Beerkus, të njohur për realizimin e akrobacive në ndërtesa të larta në vende të ndryshme të botës.
Në një postim në rrjetet sociale, Nikolau publikoi një video që duket se është realizuar në majë të ndërtesës, duke shkruar se ngjarja mund të ndiqej përmes kamerave panoramike të qytetit.
