SHBA/ 14-vjeçari dyshohet se vrau nënën me armë zjarri pasi kishte vjedhur një tablet

Data

Një ngjarje tronditëse është raportuar në Shtetet e Bashkuara, ku një 14-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka vrarë nënën e tij me armë zjarri në shtëpinë e tyre në qytetin Cheyenne, në shtetin Wyoming.

Sipas autoriteteve, adoleshenti Havoc Leone akuzohet se qëlloi nga pas në kokë nënën e tij 41-vjeçare, Theresa McIntosh, ndërsa ajo ndodhej në dhomën e tij duke zgjidhur një puzzle.

Hetuesit thonë se ngjarja lidhet me një tablet që i riu dyshohet se e kishte vjedhur nga një klient i nënës së tij, e cila punonte duke pastruar shtëpi. Kur ai dëgjoi prindërit duke diskutuar për pajisjen e vjedhur dhe se mund të zbulohej, dyshohet se planifikoi krimin.

Sipas dokumenteve të hetimit, 14-vjeçari mori armën e nënës nga makina e saj dhe e përdori brenda shtëpisë. Për ta shpërqendruar, thuhet se hodhi një bllok shënimesh në tokë në mënyrë që ajo të përkulej për ta marrë dhe më pas e qëlloi nga pas.

Trupi i gruas u gjet nga bashkëshorti i saj rreth një orë pas ngjarjes. Ai u tha policëve se kishte dëgjuar një zhurmë të mbytur ndërsa luante video-lojëra me kufje në bodrum, por nuk e kishte menduar se ishte diçka serioze.

Kur doli në katin e sipërm, ai pa djalin pranë dhomës së tij dhe e pyeti çfarë kishte ndodhur. Sipas policisë, adoleshenti fillimisht pretendoi se arma ishte shkrepur vetë.

Babai telefonoi urgjencën rreth orës 12:46 dhe u përpoq të ndihmonte bashkëshorten, por ajo nuk reagonte. Fillimisht rasti u raportua si vetëvrasje, por hetuesit nisën të dyshonin pasi i riu dha deklarata të ndryshme gjatë marrjes në pyetje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related