Një 39-vjeçar është arrestuar në Austri, nën dyshimin se ka tentuar të shantazhojë kompaninë gjermane të ushqimit për fëmijë HiPP, duke kërcënuar me kontaminimin e produkteve të saj me helm për minjtë.
Sipas Prokurorisë në Eisenstadt, i dyshuari është ndaluar në rajonin e Burgenland dhe aktualisht po merret në pyetje, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë publik për shkak të hetimeve në vijim.
Hetimet zbuluan se në mars ishte dërguar një email kërcënues drejt kompanisë, ku kërkohej pagesa prej 2 milionë eurosh brenda gjashtë ditëve. Megjithatë, mesazhi ishte zbuluar me vonesë, pasi ishte dërguar në një adresë që monitorohej rrallë.
Autoritetet dyshojnë se i arrestuari ka qenë i përfshirë në kontaminimin e qëllimshëm të disa produkteve për foshnje. Deri më tani janë identifikuar të paktën pesë kavanozë të manipuluar në Austri, Republika Çeke dhe Sllovaki, të cilët u zbuluan përpara se të arrinin tek konsumatorët.
Një prej produkteve, i etiketuar “karrota me patate”, rezultoi të përmbante rreth 15 mikrogramë helm për minjtë. Ky produkt ishte blerë në një supermarket në Eisenstadt.
Si masë sigurie, kompania HiPP tërhoqi nga tregu një pjesë të produkteve në Austri, ndërsa theksoi se procesi i prodhimit në Gjermani nuk është prekur nga incidenti.
Hetimet vijojnë edhe në Gjermani, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë llojin e saktë të substancës së përdorur dhe shkallën e rrezikut që ka paraqitur për konsumatorët.
