Detaje të reja janë zbardhur nga incidenti me armë i ndodhur në Mamurras, ku mbeti i plagosur 23-vjeçari Leonard Dema, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.
Sipas gazetares Xhensila Kodra, operacioni i Policia e Shtetit degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit pasi personat në automjet tentuan t’i shpëtonin ndalimit nga Forcat Operacionale.
Gazetarja deklaroi se gjatë ndërhyrjes, 28-vjeçari Amadeo Fufi, i cili ndodhej në makinë me Demën, dyshohet se ka drejtuar armën në drejtim të efektivëve të policisë.
“Për të neutralizuar personat dhe për të shmangur arratisjen, efektivët kanë qëlluar drejt gomave të makinës me armën e shërbimit”, raportoi ajo.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar qartë se si është plagosur Leonard Dema, i cili ka marrë një plumb në bark.
Sipas informacioneve paraprake, hetuesit po verifikojnë nëse 23-vjeçari është plagosur nga të shtënat e policisë apo aksidentalisht nga arma e personit që ndodhej me të në automjet.
Grupi hetimor dhe ekspertët balistikë vijojnë punën për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë mbi plagosjen.
Ngjarja ka shkaktuar tension dhe mobilizim të forcave të policisë në zonë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit.
