Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka shpjeguar arsyet pse vendosi të tërhiqet nga protesta që zhvilloi për rreth 108 ditë para Kryeministrisë.
Në një intervistë televizive, Lapaj theksoi se vendimi i tij nuk ishte politik, por i lidhur me bindjet personale dhe idealin për një garë të ndershme në politikë.
Ai u shpreh se kishte mundësinë të siguronte një vend në politikë duke vendosur veten në krye të listës zgjedhore, por zgjodhi të mos e bënte këtë.
“Unë në dorë e kisha që të isha sot deputet, por zgjodha bindjen time. Ideali im është gara dhe për këtë mora riskun,” u shpreh ai.
Lapaj theksoi se sakrifica e bërë gjatë protestës nuk ka qenë e kotë, duke shtuar se është krenar për qëndrimin e tij, pavarësisht sfidave.
“Nuk bëra akrobaci për të shkuar në pushtet, por për të përmirësuar jetën politike,” deklaroi ai, duke nënvizuar se sistemi aktual, sipas tij, nuk lejon një garë të ndershme.
Në fund, ai pranoi se mund të ketë bërë gabime, por i konsideron ato si pjesë të një rruge të ndërtuar mbi parime dhe ideale.
