Senati i Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë me një diferencë minimale votash një rezolutë që synonte të detyronte administratën amerikane të tërhiqte forcat ushtarake nga konflikti me Irani.
Rezoluta u rrëzua me 50 vota kundër dhe 49 pro, ndërsa shumica e senatorëve republikanë refuzuan të kufizonin kompetencat ushtarake të presidentit Donald Trump.
Një nga zhvillimet më të komentuara të votimit ishte qëndrimi i senatores republikane Lisa Murkowski, e cila për herë të parë që nga fillimi i konfliktit votoi në favor të tërheqjes së forcave amerikane.
“Mendonim se do të kishim një pamje më të qartë nga administrata se ku ndodhemi, por kjo nuk ndodhi”, deklaroi ajo pas votimit.
Debati në Uashington lidhet drejtpërdrejt me kompetencat kushtetuese për shpalljen e luftës. Sipas Kushtetutës amerikane, vetëm Kongresi ka autoritetin për të shpallur luftë, ndërsa presidenti mund të nisë operacione ushtarake vetëm për t’iu përgjigjur një kërcënimi të afërt dhe duhet të marrë miratimin e Kongresit brenda 60 ditëve.
Demokratët argumentojnë se ky afat ka kaluar dhe se administrata Trump nuk ka marrë autorizimin e nevojshëm, pavarësisht pretendimit të presidentit se armëpushimi me Iranin e kishte mbyllur konfliktin.
Sipas tyre, trupat amerikane vazhdojnë të jenë aktive në rajon dhe të përfshira në operacione si bllokada e porteve iraniane, çka nënkupton se angazhimi ushtarak vijon.
Ligjvënësit demokratë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të kërkojnë votime të reja në Senat për këtë çështje, derisa të arrihet tërheqja e forcave amerikane nga konflikti.
